KUSHTET E GARANCISË

Kjo Fletë Garancie i lëshohet klientit në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi. Të drejtat e klientit të parashikuara në këtë Fletë Garancie janë në konformitet me të drejtat ligjore të klientit që janë të parashikuara në Ligjin Nr.9902, datë 17.04.2008, “Për Mbrojtjen e Konsumatorit”, i ndryshuar. 

Kjo Fletë Garancie është e vlefshme vetëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe periudha e garancisë, që specifikohet në të, fillon nga data e blerjes së produktit nga klienti. 

Në rast të mospajtueshmërisë ose mospërputhjes së produktit të blerë me kontratën e shitjes, me prezantimin e kësaj Garancie, konsumatori gëzon të drejtën të kërkojë riparimin pa pagesë të produktit të mbuluar me këtë Garanci ose zëvendësimin e tij me një produkt të ri. Në rastet kur riparimi ose zëvendësimi i produktit është i pamundur ose jo proporcional (si p.sh. nëse vetë produkti kushton më pak se riparimi i tij), konsumatori mund të kërkojë zgjidhje alternative, siç janë zbritja proporcionale e çmimit ose anulimi i kontratës, në përputhje me Nenin 31 të Ligjit Nr.9902, datë 17.04.2008, “Për Mbrojtjen e Konsumatorit”, i ndryshuar, dhe sipas kushteve të parashikuara në dispozitat e këtij ligji, më konkretisht:     

Neni 31, Dëmshpërblimi i Konsumatorit

1.             Shitësi është i detyruar të pranojë ankesat për produktet në çdo vend ku ushtrohet ose përfaqësohet aktiviteti, përveçse kur një person tjetër është i autorizuar të kryejë riparimin.

2.             Shitësi vendos për pranimin e ankesës menjëherë ose brenda 3 ditëve pune.

3.             Në rastin e mungesës së përputhjes, konsumatori ka të drejtën të rizotërojë mallin e sjellë në përputhje, pa pagesë, nëpërmjet riparimit apo zëvendësimit, të ketë një ulje të përpjesshme të çmimit, ose konsumatori mund të anulojë kontratën.

4.             Konsumatori fillimisht kërkon nga shitësi riparimin e mallrave apo zëvendësimin e tyre, pa pagesë, vetëm në rast se kjo është e pamundur apo jo e përpjesshme.

a) Dëmshpërblimi referuar pikës 4 konsiderohet jo i përpjesshëm nëse i ngarkon shitësit kosto, të cilat në krahasim me dëmshpërblimin alternativ janë të paarsyeshme, duke marrë parasysh:

i.              vlerën e mallit, në rast se nuk do të kishte mungesë përputhjeje;

ii.             rëndësinë e mungesës së përputhjes;

iii.            nëse dëmshpërblimi alternativ plotësohet pa shqetësime të rëndësishme për konsumatorin;

b)            termi pa pagesë, referuar pikave 3 e 4 të këtij Neni, përfshin të gjitha kostot e nevojshme për të sjellë mallin në përputhje, veçanërisht për kostot e dërgesës, fuqisë punëtore dhe të materialeve;

c) çdo riparim apo zëvendësim kryhet brenda një periudhe të arsyeshme, të rënë dakord ndërmjet palëve, pa shqetësime të rëndësishme për konsumatorin dhe jo më shumë se 30 ditë kalendarike, duke marrë parasysh natyrën e mallit dhe qëllimin, për të cilin konsumatori ka kërkuar mallin.

5.             Periudha e garancisë pas riparimit të mallit zgjatet automatikisht, për të mbuluar shfaqjen e së njëjtës mospërputhje. Në këtë rast, konsumatorit i lind e drejta të kërkojë zëvendësimin e mallit në vend të riparimit të përsëritur.

6.             Konsumatori kërkon një ulje të përpjesshme të çmimit ose anulimin e kontratës nëse:

a) konsumatorit nuk i është dhënë e drejta për riparim apo zëvendësim;

b) shitësi nuk ka kryer riparimin apo zëvendësimin, sipas përcaktimeve të shkronjës “c” të pikës 4 të këtij Neni.

7.             Konsumatori nuk ka të drejtë të anulojë kontratën, nëse mungesa e përputhjes është e parëndësishme.

8.             Koha e qëndrimit të mallit gjatë ankesës dhe riparimit i shtohet afatit të garancisë.

Kërkesa për shërbimin e Garancisë mund të depozitohet gjatë orëve të punës në çdo dyqan të rrjetit One Telecommunications SHA, në adresën zyrtare të Shitësit, si dhe në adresën: One Telecommunications SHA, Fshati Mezez, zona kadastrale 2679, pasuria nr 29/26, Mezez, Kashar, Tiranë, Shqipëri.

 

Shërbimi i Garancisë ofrohet nga One Telecommunications SHA vetëm nëse klienti paraqet tek One Telecommunications SHA një Fletë Garancie origjinale të vlefshme, me numrin IMEI ose numrin serial të specifikuar (në varësi të tipit të produktit), që përmban nënskrimin dhe vulën e Shitësit dhe nënshkrimin e Klientit. Gjithashtu në këtë rast, Klienti duhet të paraqesë edhe faturën ose kuponin tatimor të blerjes së produktit.

 

Garancia nuk mbulon bateritë e karikueshme dhe aksesorët e produktit (jetëgjatësia e baterisë dhe karakteristikat e saj varen tërësisht nga veprimi në përputhje ose jo me instruksionet e përdorimit të përshkruara në manualin e produktit). 

 

One Telecommunications SHA nuk do t’i ofrojë asnjë rimbursim Klientit për riparime të produktit të kryera nga qendra shërbimi të paautorizuara ose për defekte të shkaktuara në produkt pas riparimit nga persona ose qendra shërbimi të paautorizuara ose për defekte të shkaktuara nga instalimi i pjesëve jo-origjinale ose përdorimi i pjesëve jo-origjinale.

 

Klienti është i detyruar të përdorë produktin mbi bazën e instruksioneve të përdorimit, si dhe në pajtueshmëri me qëllimin për të cilin është prodhuar. Garancia nuk do të jetë e vlefshme nëse dëmi në produkt është shkaktuar si rezultat i mosveprimit në përputhje me kushtet e përshkruara në manualin e përdoruesit.

 

Në rast të një ankese gjatë periudhës së Garancisë, zotëruesi i produktit duhet të heqë kartën SIM nga produkti, kodin e kyçjes dhe  të ruajë të dhënat e tij ose programet personale ose  të instalojë programe të reja në aparatin celular (listën e kontakteve, meloditë, fotografitë, etj.) sepse qendra e shërbimit e Shitësit nuk ka detyrim të ruajë në produkt të dhënat ose programet e siperpërmendura gjatë riparimit të produktit brenda periudhës së Garancisë si dhe në riparimet pas periudhës së Garancisë. 

 

KUJDES! Rastet në të cilat Garancia nuk është e vlefshme dhe nuk njihet janë të përcaktuara si më poshtë: 

1). Në ratin e mungesës së dokumentave të Garancisë (përfshirë kuponin/mandat-pagesën/faturën e blerjes dhe Fletën e Garancisë) ose pavlefshmërisë së dokumentave, në të cilat përfshihen: mospërputhshmëria, palexueshmëria ose mungesa e numrit IMEI të aparatit telefonik, datës së blerjes, të dhënat e Klientit dhe të tjera.

2). Në rastin e cënimit tëintegritetit, fshirjes, palexueshmërisë ose mungesës së  etiketës së prodhuesit ose etiketave të garancisë së produktit. 

3). Të gjitha rastet e dëmit të shkaktuara nga përdorimi jo i duhur, rënia, përplasja, ruajtja në vende të papërshtatshme, derdhja e lëngjeve mbi produkt, përpjekjet për riparim nga persona të paautorizuar, karikimi me karikues jo origjinalë ose ndikime të tjera të jashtme në kundërshti me kërkesat e prodhuesit. 

4). Të gjitha rastet e dëmeve të shkaktuara nga shoku elektrik, dëmtimi termal, rrufeja, lagështira, kushtet atmosferike ekstreme, vibrime të ndryshme, dëmtime aksidentale, ose shkaqe të ngjashme që janë jashtë kontrollit të Shitësit.  

Shënim: Në rast të pavlefshmërisë së Garancisë për ndonjë nga arsyet e renditura më sipër, riparimet bëhen me shpenzimet e konsumatorit, dhe në disa nga rastet e pikës 2, pikës 3 dhe pikës 4, shërbimi mund të refuzohet. Pavarësisht nga kjo Garanci kontraktuale, Shitësi është përgjegjës për mospërputhshmërinë e produkteve të konsumatorit, me kontratën e shitjes, sipas Ligjit Nr.9902, datë 17.04.2008, “Për Mbrojtjen e Konsumatorit”, i ndryshuar.     

 

Kjo Fletë Garancie është e vlefshme vetëm nëse plotësohet në të gjitha fushat dhe përshkrimet e detyrueshme dhe nënshkruhet dhe vuloset nga Shitësi dhe Klienti. Korrigjimet nuk lejohen në Fletën e Garancisë.

 

Klienti deklaron dhe konfirmon se: 

-               produkti i blerë është në gjendje të mirë; dhe

-               pranon termat dhe kushtet e kësaj Fletë Garancie