Alma Hoxha: “Zhvillimi profesional, ndërtimi i marrëdhënieve të besueshme me bashkëpunëtorët dhe klientët tanë janë çelësi i suksesit.’’

Njihuni me Almën, rrugëtimin e saj 15 vjeçar në kompani, sfidat dhe emocionet që e kanë shoqëruar gjatë kësaj eksperience.

 

Sa kohë ke që punon në One Telecommunications dhe si ka qënë ecuria juaj profesionale?

Rrugëtimi im në One ka nisur në vitin 2006. Sfidat e mia në këtë kompani më kanë dhënë gjithmonë përshtypjen e fillimeve të reja. Sigurisht që suksesi im nuk ka ardhur brenda një dite, por vendimi im për të qenë e suksesshme është marrë brenda ditës. Kam një besim tek shpirti im luftarak dhe i skuadrës që drejtoj. Karriera ime në shitje është e mbushur plot me emocione. Një jetë që vetëm vrapon dhe nuk ndalon kurrë as në ditët e saj me të këqija. Nuk është e lehtë të vish deri këtu dhe të drejtosh ekipin më të suksesshëm të shitjeve direkte. Por sa herë kam rënë, aq herë jam ringritur edhe më e forte, për të arritur këtu me durim, sepse e dija që do të vinte dita kur do ecja krenare përpara. Por një gjë nuk do ta harroj kurrë nga ky rrugëtim; buzëqeshjen dhe pozitivitetin e kolegëve të mi të cilët edhe ditët e mia më të errëta m’i ndryshojnë me humorin e tyre të hollë, me batutat që më dhurojnë buzëqeshje.

Si do ja përshkruanit punën tuaj dikujt që nuk e njeh profesionin?

Ne të gjithë duam të jemi të suksesshëm në shitje, kërkojmë që cdo vit të jetë më i mirë se ai që kaloi dhe të arrijmë në një tjetër nivel. Optimizmi na çon në një hap më pranë suksesit, por suksesi vjen me sfida të mëdha. Të fillosh të bësh gjëra që nuk i ke bërë më parë, të sfidosh veten deri në pikën e fundit dhe kurrë të mos heqësh dorë. Unë kam filluar punë në telekomunikacion në shitje shumë herët. Në atë kohë nuk kisha një qëllim të qartë për veten dhe se çfarë doja të bëja në jetën time. Ndërkohë që rritesha dhe kërkoja për qëllimet e mia, gjithmonë kam menduar që investimi im më i mirë është ai në njohuri dhe shkollim. Tani mendoj që shitja më është kthyer në një stil jete pa të cilin unë nuk di të jetoj ndryshe.Zhvillimi profesional, ndërtimi i marrëdhënieve të besueshme me bashkëpunëtorët dhe klientët tanë janë çelësi i suksesit.

Çfarë projektesh keni realizuar dhe çfarë sfidash e presin ekipin tuaj në të ardhmen?

Kam punuar dhe jam investuar në këtë kompani për të përmbushur veten time dhe kam dashur që këtë rrugë të ndjekë edhe stafi im, jam munduar të shoh brenda tyre pikat e forta dhe të dobëta, për të zbuluar potencialin e secilit, që të rritet dhe të ecë i sigurt në rrugën e biznesit. Kam dashur të shoh veten time dhe aftësisitë e mia manaxheriale të materializuara tek bashkëpunëtoret e mi, që i kam konsideruar gjithmonë si kolegë të të njëjtit nivel, për t’i dhënë forcë dhe vetëbesim. Njerëzit me qëllime të qarta dhe me vizion e investojnë energjinë e tyre në gjëra kreative dhe fokusohen për një karrierë të suksesshme. Nuk është e lehte të jesh një grua në biznes, sepse duhet të sfidosh paragjykimet se një grua nuk mund të jetë kurrë aq e suksesshme sa duhet për t’ia dalë e vetme në rrugën e suksesshme të biznesit dhe të negociojë një marrëveshje fituese për të dy palët. Influenca ime, biznesi im, vetëbesimi im dhe profesionalizmi në punën time, dua të shërbejnë edhe për përmirësimin e jetës së të tjerëve që bëjnë të njëjtin rrugëtim me mua. Pika ime e forte dhe stafit tim është pozitiviteti, këmbëngulja për të vazhduar rrugën me një mentalitet prej fitimtari. Aktualisht kemi shumë sfida që na presin, pa hyrë në detaje, por jam e bindur që jemi njerëzit e duhur për t’i kthyer këto sfida në suksesin e radhës.

Tri këshilla që do t’i jepnit një punonjësi të ri në One.

Mendoj që çdo njeri duhet të zbulojë forcën e vet të dijes dhe ta përdorë me vetëbesim. Vetëbesimi do të jetë arma juaj për të tejkaluar çdo pengesë. Mendo si ekspert në fushën tënde, promovo veten dhe ndihmo të tjerët të ndjekin të njëjtën rrugë suksesi si e jotja, sepse puna në skuadër është shumë e rëndësishme.

Çfarë mendon që të ka bërë të dallohesh si Everyday Hero?

Dashuria që kam për punën, jetën që bëj dhe për njerëzit që më rrethojnë. Edhe pse jam munduar shumë për të ardhur deri këtu nuk do të thotë që jam dorëzuar para vështirësive. Dështimet e mia më kanë ndihmuar të kuptoj rëndësinë e të mësuarit nga gabimet. Më kanë ndihmuar të mendoj në dimensione të mëdha edhe jashtë kornizës së të përditshmes. Kam zgjedhur të jem nën shoqërine e njerëzve kritikë, promotorë, mentorëve të zgjuar, lojëtarëve të fuqishëm, njerëzve që marrin rrisqe dhe familjarëve të mi që më kanë mbështetur pa kushte.

Cila vlerë e kompanisë ju frymëzon më shumë në punë?

Miqësia, besoj shumë tek njerëzit dhe tek vlerat e miqësisë. U besoj njerëzve dhe instikteve të tyre. Mendimi pozitiv dhe bashkëpunimi na bën të ecim përpara drejt rritjes dhe sfidave të së nesërmes.

Përshkruajeni eksperiencën tuaj në One me një titull libri.

Në fakt kam në mendje disa tituj librash por në funksion të kësaj pyetjeje po zgjedh vetëm njërin: “Good vibes, good life” e autorit Vex King. Pavarësisht çdo gjëje mundohem të shoh anën pozitive edhe pse përditshmëria nuk është gjithmonë kaq e qartë dhe e qetë. Kontrolli i mendjes dhe emocioneve duke i pare dhe analizuar gjërat me gjakftohtësi. Eshtë e rëndësishme edhe që të mos heqësh dorë kurrë nga ëndrrat e tua. Dhe me punë mund të arrish atje ku mendja jote të ka projektuar.