Doris Rapi: Çdo punë ka nevojë për përkushtim, dashuri dhe energji pozitive!

Ka vetëm tre vite në One, megjithatë, ka prekur nga afër pothuajse të gjitha rolet e specialistes brenda Departamentit të Financës operacionale. Në këto vite dinamike e ndryshimesh për kompaninë, Doris Rapi na rrëfen se e gjithë puna dhe përgjegjësitë kanë ndikuar masivisht në rritjen e saj profesionale, dhe se fryma e grupit dhe puna në zyrën e saj është një shembull motivimi.

 

Përtej pasionit sfidues për gjuhën numerike të kontabilitetit, le të zbulojmë më tej dhe të tjera gjëra interesante për Doris, Specialiste Kontabiliteti për Pasuritë e Paluajtshme pranë One.

 

Doris, si do t’ja përshkruaje një abonenti apo dikujt tjetër punën që ti bën në One?


Gjithmonë ka qenë një sfidë kur më është dashur të përshkruaj punën që bëj, sepse jo të gjithë janë të familjarizuar me termin “Kontabilititet”. Për shumicën ekziston vetëm fjala Financë. Megjithatë, pas shumë përpjekjesh për të gjetur definicionin e duhur dhe më të kuptueshëm për një njeri jo të fushës, mund t’u them se në kontabilistët sigurohemi që çdo veprim që kompania bën/apo çdo pritshmëri që ajo ka për të ardhmen, ta konvertojmë në gjuhë numerike për të treguar sa më mirë gjendjen e saj financiare.

 

Si kanë ndryshuar përgjegjësitë apo detyrat e tua ndër vite?


Shumë shpejt. Pavarësisht se kanë kaluar vetëm tre vjet në kompani, Brikena është siguruar që të më prezantojë me pothuaj të gjitha punët që bëhen brenda departamentit. Këto tre vite kanë qëlluar pikërisht në periudhën e tranzicionit të shitjes, dhe paralelisht me kurbën e lodhjes janë rritur detyrat, përgjegjësitë dhe mësimet e shumta që kam marrë gjatë punës. Kur e kthej kokën mbrapa, ndjej mirënjohje dhe gatishmëri për të vazhduar përpara me po aq përkushtim.

 

Nga 1-10, sa sfiduese është e përditshmja e punës që ti bën?


Përgjithësisht ditët variojnë nga 8-10, sepse duhet të jemi të gatshëm dhe alert për çdo gjë që mund të kërkohet. Por kam vënë re që të premteve, të gjithëve na pushton një valë qetësie dhe lehtësie. Është e këndshme të kemi një ditë të tillë në mes të gjithë ditëve të tjera të vrullshme.

 

Një projekt pune i cili të ka rritur më shumë nga ana profesionale apo që po ndjek aktualisht?


Mund të them se e gjithë eksperienca deri tani, ka ndikuar masivisht në rritjen time profesionale. Të gjitha njohuritë nga librat e lexuar në shkollë nuk mund të plotësoheshin më mirë sesa me praktikën në një korporatë të tillë. Por, përvec njohurive profesionale, jam përpjekur të mësoj sa më shumë edhe nga marrëdhëniet dhe eksperiencat me kolegët e punës. Aktualisht jam përfshirë në projektin e Fiskalizimit, i cili ka një natyrë delikate duke qenë se lidhet me çështjet e taksës, prandaj kërkon edhe më shumë angazhim.

 

Je shpallur Punonjësja e Muajit, çfarë mendon se është vlerësuar tek ty?


Mendoj se ndër të tjera është vlerësuar gatishmëria, kujdesi dhe përkushtimi ndaj punës. Kam besimin se është e rëndësishme që puna nuk duhet marrë përsipër thjesht për t’u ekzekutuar. Çdo punë ka nevojë për përkushtim, dashuri dhe energji pozitive. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për punët që lidhen me kompaninë, por edhe çdo gjë tjetër. Mund të jetë e lodhshme, shpeshherë konsumuese, por kënaqësia e rezultatit dhe e vlerësimit është më e madhe. Unë këtë rrugë kam zgjedhur.

 

Gjithmonë pozitive, e gatshme për të ndihmuar, çfarë e motivon Dorisin që të japë më shumë se pritshmëritë në punë?


Një nga gjërat kryesore është fryma që kemi në zyrë. Vajzat e departamentit, të cilat kanë më shumë vite eksperiencë, janë “The most hardworking ladies I’ve ever met”. Dhe është e pashmangshme që të rinjtë që vijnë të ndjekin të njëjtin shembull. Familja ime ka ndikuar shumë në mënyrën se si reagoj ndaj ngjarjeve të ndryshme. Herë pas here, komunikimi me motrën dhe prindërit, më ndihmon që t`i shikoj gjërat më qartë, të marr vendime të mirëmenduara dhe të jap më të mirën time. Ata janë shumë të shtrenjtë për mua. Një nga motivimet më të mëdha është që duke punuar të kem mundësi të shpërblej çdo përpjekje të tyren, dhe të kalojmë kohë sa më të bukur bashkë.

 

Marrëdhëniet me kolegët e zyrës, çfarë çmon më shumë ti?


Nëse do të kishte një çmim të cilin zyra jonë do ta meritonte tërësisht është “Gatishmëria për të ndihmuar njëri-tjetrin.” Nuk ka lehtësi më të madhe gjatë procesit të punës, sesa kur kolegët e zyrës janë të gatshëm t’i përgjigjen çdo pyetje, çdo pasigurie dhe çfarëdo kërkese për ndihmë. Jam shumë mirënjohëse për këtë.

 

Shëtitje në natyrë, një film i bukur në kinema apo shtëpi, si kalohet pasditja ideale për ty?


Pasditja ideale do të ishte një shëtitje me biçikletë në natyrë, dhe gjatë darkës një film i bukur në kinema ose në shtëpi. Mundësisht në kinema. Është shumë e rëndësishme të jemi vazhdimisht në kontakt me natyrën dhe artin.

 

Dhe çfarë do të na rekomandoje për momentin?


Këtë periudhë jam duke ndjekur serialin “Modern Family” dhe e rekomandoj për të gjithë ata që nuk e kanë parë. Është serial i lehtë, komik, me mesazhe të ndryshme në çdo seri dhe mbi të gjitha mëson se çdo person ka imperfeksionet e tij. Prandaj në fund të ditës duhet ta kuptojmë dhe ta pranojmë njëri tjetrin për atë që jemi.

 

Cilat janë disa pasione ku e gjen Doris veten më shumë jashtë punës së përditshme?


Çdo gjë që lidhet me artin pamor më tërheq si magnet. Më pëlqen shumë të fotografoj/filmoj momente të bukura, dhe më pas t’i bashkoj për të krijuar një kujtim. Më pëlqejnë ilustrimet dixhitale në iPad ose me bojra uji në letër. Të gjitha këto janë një formë shumë e mirë ekspresiviteti. Por, edhe procesi i krijimit të një produkti arti është përmbushës në vetvete.

 

Udhëtimet, eksperienca më e bukur që ke kaluar dhe një vend që është në listën tënde?


Këtë vit kam vizituar për herë të parë një vend plot me borë, dhe kam provuar për herë të parë ski-në, në Kolasin. Kostumet e ski-së që ngjajnë si uniforma astronauti dhe çdo gjë e bardhë e mbuluar nga bora, më dhanë atë ndjesinë sikur po zbarkoja në hënë. Kështu që, jam e vendosur se dimrin tjetër do të bëj përsëri pushime në bore :) Nga ana tjetër, e kam ëndërr të vizitoj jugun e Francës. Më duket si një nga ato vendet që është krijuar për njerëz si unë.

 

Ku e sheh veten Doris pas 5 vitesh nga ana profesionale?


Po të vendos dylbitë e kohës dhe të shikoj se çfarë do të jetë duke ndodhur 5 vite më vonë, një pamje e kam të qartë: e shoh Dorisin duke punuar fort dhe duke u përpjekur të marrë më të mirën nga puna që do të jetë duke bërë!