Tesi Isaj: Në fëmijërinë time, kam menduar që një hero bën gjëra të jashtëzakonshme. Sot, falë One kuptova që të punosh me pasion dhe përkushtim mund të bëhesh edhe ti një hero.

Prej 4 vitesh pjesë e One, Tesi ndjen kënaqësi të madhe teksa sheh që përpjekja e saj luan një kontribut sado të vogël tek suksesi i kompanisë. Mes gjithë sfidave që has në përditshmërinë e punës së saj, ajo na tregon se zgjedhja e saj profesionale e mëson dhe e rrit jo vetëm në praktikën e saj, por edhe si njeri.

Njihuni me Tesin, Specialiste për IFRS, të ardhurat e shtyra dhe shpenzimet e parapaguara:

 

Sa kohë ke që punon në One Telecommunications dhe si ka qenë ecuria juaj profesionale?

Rrugëtimi im në One ka filluar para 4 vitesh.  Fillimisht si Intern në departamentin ku aktualisht punoj, por me një dëshirë të madhe për të qenë pjesë e kësaj familje. Sot, mbas 4 vitesh, pas 2 pozicioneve dhe angazhimit në projekte të ndryshme, mund të them që ka qenë një eksperiencë e vrullshme, dhe shumë dinamike nga e cila kam mësuar shumë.

 

Si do ja përshkruaje punën tënde kolegëve të tjerë që nuk të njohin?

Kontabiliteti, në thelb përpiqet që përmes gjuhës së shifrave të tregojë një pamje sa më të qartë të performancës së kompanisë. Prandaj punën time, kolegëve që nuk janë të fushës do t’ua përshkruaja si një punë që kërkon mjaft përkushtim dhe saktësi. Është një punë voluminoze, por që të jep dhe një kënaqësi të madhe kur e sheh që përpjekja jote luan një kontribut sado të vogël, tek suksesi i kompanisë.

 

Me çfarë projekti po merreni këto kohë si departament dhe cilat janë sfidat dhe të mirat e zbatimit të tij?

Duke marrë në konsideratë dinamizmin që ka kjo industri dhe qasjen qe ka Operational Finance, për të qenë sa më në brendësi të biznesit, patjetër qe sfidat janë të shumta. Megjithatë, nëse do më duhet të veçoj një projekt që ka kërkuar një angazhim shumë të madh, ai ka qenë Fiskalizimi. Ajo që kam mësuar nga përfshirja në një projekt të tillë është që çdo gjë është e mundur, nëse ka një bashkëpunim dhe organizim shumë të mirë.

 

Çfarë vlere e kompanisë do të të karakterizonte më shumë ty?

Ndër vlera të kompanisë që më karakterizojnë më shumë janë thjeshtësia, gatitshmëria për t’u përshtatur ndaj çdo situate dhe të qenit miqësor me kolegët. Për pjesën që tashmë më njeh, Tesi është një njeri që nuk thotë asnjëherë jo. Në aspektin profesional, ndjekja e kësaj filozofie nuk është gjithmonë e lehtë. Ndonjëherë mund të jetë e lodhshme dhe konsumuese, dhe të shpërqëndrojë nga objektivi final. Megjithatë, është një zgjedhje që të mëson shumë dhe të rrit jo vetëm profesionalisht, por edhe si njeri!

 

Çfarë mendon që të ka bërë të dallohesh si Everyday Hero?

Në fëmijërinë time, kam menduar që një hero bën gjëra të jashtëzakonshme. Sot, falë One kuptova që të punosh me pasion dhe përkushtim mund të bëhesh edhe ti një hero. Përtej sfidave dhe lodhjes së përditshme, jam fokusuar gjithmonë tek objektivat e punës duke dhënë maksimumin tim. Besoj që kjo ka bërë diferencën. Megjithatë, ashtu siç për të luajtur një simfoni nuk mjafton një muzikant i vetëm por duhet një orkestër, dhe pas Everyday hero nuk qëndroj vetëm unë. Merita i takon të gjithë kolegëve të departamentit ku unë punoj, që sipas meje, e meritojnë këtë titull po aq sa unë!

 

Cili është motivimi më i madh për ty në punë?

Siç e kam përmendur dhe më lart, ambjenti i punës ku unë punoj është shumë i rëndësishëm, sepse suksesi nuk është kurrë meritë e një njeriu të vetëm por puna e një skuadre të mirë. Duke e konsideruar veten si një hallkë të këtij procesi, motivohem të jap më të mirën time.