Grupi 4iG, investitori i kompanisë One Albania dhe Telecom Egypt nënshkruajnë kushtet e bashkëpunimit për krijimin e një linje kabllore direkte nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit

06-02-2024
1

Kompania e info-komunikimit 4iG Plc dhe Telecom Egypt, operatori i parë i integruar i telekomunikacionit në Egjipt dhe njëherazi një prej operatorëve më të mëdhenj të sistemeve me kabuj nënujorë në rajon, kanë arritur një marrëveshje për kushtet e bashkëpunimit për ndërtimin e një sistemi kabllor nënujor direkt midis Shqipërisë dhe Egjiptit.

Pas nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi (MoU) tetorin e kaluar, këto kushte të marrëveshjes së bashkëpunimit krijojnë një sipërmarrje të përbashkët midis dy kompanive për projektin e kabujve ndërkontinentalë nënujorë. Sistemi kabllor  nënujor do të krijojë një lidhje ndërkontinentale me kapacitet të lartë që do të bashkojë Afrikën dhe Azinë – përmes Detit të Kuq – me Evropën, përmes Egjiptit, Mesdheut dhe Shqipërisë.

Dokumenti u nënshkrua në Budapest, Hungari, nga Gellért Jászai, Kryetar i Grupit 4iG, dhe Mohamed Nasr, Drejtor i Përgjithshëm i Telecom Egypt, në prani të  SH.T.Z.  Márton Nagy, Ministër i Ekonomisë Kombëtare të Hungarisë dhe SH.T.Z. Dr. Amr Talaat, Ministër i Komunikimeve dhe Teknologjisë së Informacionit të Egjiptit, si dhe zyrtarë të lartë nga të dyja kompanitë.

Si sistemi i parë që lidh dy vendet, rruga e planifikuar e kabujve nënujorë në Mesdhe do të jetë unike, duke shtuar diversitetin në rrugët tradicionale të Mesdheut që lidhin Egjiptin me Italinë dhe Francën. Ajo do të zotërojë një pjesë të konsiderueshme të tregut të madh dhe në zhvillim të trafikut të të dhënave mes Azisë, Lindjes së Afërt dhe Evropës. Në anën e Egjiptit, do të ofrohet akses në shumë kabuj nënujorë të juglindjes, përmes Detit të Kuq drejt Azisë dhe Afrikës, të cilat i shtohen 10 rrugëve tokësore trans-Egjiptiane që bashkojnë segmentin lidhës Mesdhetar me opsione të tjera të zgjatura në Detin e Kuq. Për Shqipërinë, sistemi do të ofrojë rrugën më të shkurtër për në Frankfurt, si dhe destinacione të tjera të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar në Evropën Lindore e Qendrore dhe Ballkanit, si Sofja, Vjena dhe Budapesti.

Pas nënshkrimit, Gellért Jászai, Kryetar i 4iG Group tha se:

Marrëveshja e sotme është një hap i rëndësishëm për 4iG Plc që të bëhet pjesë e një rrjeti global të komunikimit të të dhënave dhe kjo mund të përshpejtojë rritjen tonë dhe konkurrencën në tregjet ndërkombëtare. Ky projekt nuk ofron vetëm mundësi biznesi, por gjithashtu kontribuon në forcimin e lidhjeve tona ndërkombëtare digjitale. Prezenca jonë e fortë në tregun shqiptar na jep mundësinë të bëjmë ndërhyrje të reja në zonë tokësore që do të kontribuojnë që ky projekt të jetë i suksesshëm, duke hapur një rrugë të re të transmetimit të të dhënave për Evropën në bashkëpunim me Telecom Egypt.

Nga ana tjetër,  Mohamed Nasr, Drejtori Ekzekutiv i Telecom Egypt, komentoi:

Ne jemi shumë të lumtur të fillojmë këtë udhëtim me 4iG për të ndërtuar këtë sistem kabllor unik që do ta pozicionojë Shqipërinë si një pikë të re hyrjeje në Evropë. Kjo sipërmarrje strategjike e përbashkët do të përmirësojë përvojën e klientit dhe do të forcojë bashkëpunimin tonë në vazhdimësi, duke shtuar më shumë shtresa diversiteti në rrjetin tonë mesdhetar.

Me një historik që daton prej më shumë se 165 vite më parë dhe me një ekspertizë të gjerë në zhvillimin e lidhjeve ndërkontinentale nënujore, Telecom Egypt është partneri i duhur për të rritur edhe më tej këtë investim duke arritur në 160 linja kabllore nënujore të shpërndara në të gjithë botën.

2