INVESTITORI I ONE ALBANIA GRUPI HUNGAREZ 4iG, DHE QEVERIA SHQIPTARE ZOTOHEN PËR BASHKËPUNIM LIDHUR ME LINJËN E RE NËNUJORE TË FIBRAVE OPTIKE

06-02-2024
8

Grupi Hungarez 4iG, kompania mëmë e One Albania, nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë lidhur me angazhimin për një projekt strategjik të sistemit kabllor transkontinental midis Egjiptit dhe Shqipërisë. Kjo rrugë e re ndryshon hartën e ndërlidhjes në disa kontinente, duke e vendosur Shqipërinë në një pozicion strategjik, të favorshëm.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkruan nga CEO i 4iG Group, Péter Fekete dhe Zëvëndësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj.

Duke hyrë në këtë partneritet strategjik, Grupi 4iG dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë po ndërmarrin një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të mëtejshëm të revolucionit digjital të Shqipërisë dhe zhvillimit të teknologjisë, duke e pozicionuar vendin si një qendër rajonale për lidhjen digjitale.” – tha CEO i Grupit 4iG,  Péter Fekete,  gjatë ceremonisë së nënshkrimit. Z. Fekete përforcoi angazhimin e 4iG Group për zbatimin e projektit të kabllit nënujor të Mesdheut, duke përdorur teknologji nga furnizues të besueshëm të "rrjetit të pastër".

Zv.Kryeministrja, njëherazi Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se ky projekt rankon Shqipërinë më lartë në fushën e digjitalizimit, nxit ekonominë dhe krijon burime efikase.

Një projekt inovativ që do ta kthejë Shqipërinë në një nyje lidhëse ndërkombëtare. Rrjetet kabllore me fibra optike janë autostrada të komunikimit global tashmë me rëndësi strategjike për vendet me zhvillime të ardhshme. Sot ne nënshkruajmë këtë marrëveshje mirëkuptimi me 4iG për ndërtimin e një linje komunikimi, e cila do të lidhë Shqipërinë me Egjiptin. Ky projekt kthehet në një shtyllë mbështetëse për strategjinë kombëtare, që ka të bëjë me integrimin dhe zhvillimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE, si një nga prioritetet kryesore të kësaj strategjie”-përfundoi ajo.

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama u shpreh se ky projekt do të jetë një gur kilometrik në rrugën drejt Shqipërisë 2030.

Kompania që në Shqipëri aktualisht zotëron dhe administron kompaninë ONE Albania, sot vjen si një partner i qeverisë për të ndërtuar këtë lidhje të parë ndërkontinentale të Shqipërisë që do të kthehet në një pikë kyçe për transportin e shpejtë dhe të sigurtë të të dhënave, përmes një fibre optike lidhëse mes Shqipërisë dhe Egjiptit, duke i dhënë mundësi vendit tonë të garantojë akses në këtë autostradë të re digjitale të Mesdheut, për një sërë vendesh të Europës Qendrore. Ky është projekt i mirëseardhur se rrit në mënyrë domethënëse besimin e sipërmarrjes në tërësi, një besim që rritet vit pas viti dhe që gjen shprehje në këtë rast përmes kompanisë 4iG që zgjodhi Shqipërinë si pikë referimi për këtë projekt shumë ambicioz”.

Rruga mesdhetare e kabllove nënujore do të jetë mjaft unike, duke i shtuar diversitet rrugëve konvencionale mesdhetare që lidhin Egjiptin me Italinë dhe Francën. Ai do të kapë një pjesë të konsiderueshme të tregut të madh dhe me rritje të shpejtë të trafikut të të dhënave midis Azisë, Afrikës Lindore dhe Evropës. Sistemi do të sigurojë rrugën më të shkurtër për në Frankfurt, si dhe destinacione të tjera të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar në Evropën Lindore dhe Qendrore dhe në Ballkan, si Sofja, Vjena dhe Budapesti.

Angazhimi i sotëm mbetet një moment historik i rëndësishëm drejt vizionit të kompanisë 4iG, investitore e  One Albania në drejtimin e digjitalizimit të Shqipërisë, në dobi të ekonomisë shqiptare dhe qytetarëve të saj.

6