Intervistë me z. Emil Georgakiev, Drejtor Ekzekutiv i kompanisë ONE Albania

06-02-2023

Prej 1 janarit të këtij viti, One Telecommunications dhe Albtelecom janë bashkuar ligjërisht në një kompani të vetme, ONE Albania. Në një intervistë për Monitor, Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë, Emil Georgakiev, shprehet se fokusi i ONE Albania do të jetë të ofrimi i cilësisë më të mirë të shërbimit, duke ndërthurrur rrjetin e ri celular, të gatshëm për teknologjinë 5G, me rrjetin e gjerë të fibrës optike të trashëguar nga Albtelecom. Sipas tij, telekomunikacioni është një industri që kërkon novacion të vazhdueshëm dhe investime të mëdha. Z.Georgakiev shprehet se grupi 4iG ka vullnet të jashtëzakonshëm për të investuar dhe për t’u pozicionuar si lider në tregun e telekomunikacioneve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë në rajon.

1. Në fillim të këtij viti, ONE dhe ALBtelecom mbyllën procesin ligjor të bashkimit dhe u bashkuan në një kompani të vetme, ONE Albania. Çfarë avantazhesh sjell ky bashkim për perspektivat e biznesit të kompanisë së sapokrijuar?

Bashkimi në One Albania është një hap historik për tregun e telekomunikacionit në Shqipëri. Kompania e re e integruar u regjistrua me sukses në 1 janar, duke u bërë një nga aktorët më të rëndësishëm me rrjetet dhe shërbimet e saj në tregun shqiptar. Me bashkimin, kompania zgjeroi portofolin e saj, duke u fokusuar në ofrimin e shërbimeve më cilësore, sipas nevojave të abonentëve.

Si pjesë e 4iG Group, ONE Albania jo vetëm që do të ofrojë shërbimet fikse dhe ato celulare më të mira, por do të luajë një rol qendror në shërbimet e teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimin e shoqërisë.

Abonentët e ONE Albania do të përfitojnë nga rrjeti më i mirë dhe gama më e gjerë e shërbimeve në rrjetin celular, rrjetin fiks me bazë të gjerë dhe IPTV, duke shijuar cilësinë e padiskutueshme dhe teknologjinë më moderne.

Po ndërtojmë një kompani shumë konkurruese që do të trajtojë sfidat dhe kërkesat e tregjeve aktualë në fushën e telekomunikacionit me produkte të reja novatore, në përmbushjen më të mirë të kërkesave të biznesit dhe konsumatorëve.

2. Ulja e numrit të operatorëve celularë në dy të tillë teorikisht krijon shqetësime për ulje të shkallës së konkurrencës në tregun përkatës. Në gjykimin tuaj, si do të ndikojë bashkimi ONE-ALBtelecom për përdoruesit e telefonisë celulare?

Sa i takon pjesës sonë, të qenit dy lojtarë në treg na rrit përgjegjësinë. Besoj se integrimi i tregut në fushën e telekomunikacioneve në Shqipëri ka qenë i vazhdueshëm, gjatë viteve të fundit. Kemi të bëjmë me një treg të maturuar dhe abonentët janë të mirinformuar për cilësinë e shërbimit dhe produkteve.

Jemi në proces të zhvillimit të mëtejshëm të infrastrukturës dhe sistemeve të dy kompanive. Sinergjia në bashkimin e rrjetit më të mirë celular dhe rrjetit më të gjerë e më të mirë të fibrave do të japë rezultate në shërbime cilësore për të gjithë abonentët tanë.

Telekomunikacioni është një industri që kërkon investime të mëdha dhe novacion dhe është privilegj që një investitor si Grupi 4iG ka një vullnet të jashtëzakonshëm për të investuar dhe për t’u pozicionuar si lider në telekomunikacion, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë në rajon. Ky vullnet për të investuar dhe sjellë zgjidhjet më novatore për abonentët është thelbësor në këto momente sfiduese që po kalon ekonomia në mbarë botën.

3. Operatorët e telekomunikacioneve në vitet e fundit janë përballur me një rënie të fitimeve. Besoni se konsolidimi i tregut dhe krijimi i kompanive më të mëdha, si në rastin e ONE Albania do të përmirësojë eficiencën dhe përfitueshmërinë e operatorëve?

Veçanërisht në kohët kur përdorimi i internetit ka marrë një rëndësi të madhe dhe kur për abonentët tanë, si në rrjetin celulare edhe në atë fiks, cilësia mbetet prioriteti kryesor, sinergjia e krijuar me One Albania do të na bëjë të dobishëm në treg në shumë drejtime. Fokusi ynë është të ofrojmë cilësinë më të mirë të shërbimit.

Në rrjetin celular ne kemi trashëguar një rrjet të ri Ericson, të gatshëm për teknologjinë 5G, i pasuruar nga bashkimi. Gjithashtu, trashëgimia jonë e rrjetit fibër të ALBtelecom është një pasuri e madhe që ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë me investime të mëtejshme.

Në kushtet e një tregu më të pjekur, ne synojmë të kemi një qasje të orientuar drejt klientit për shërbimin më të mirë dhe produktet më novatore.

4. Pritet që këtë vit Shqipëria të tenderojë frekuencat e para që do të shërbejnë për teknologjinë 5G. Cilat janë sfidat kryesore që paraqet kalimi në 5G dhe çfarë ndryshimesh do të sjellë ky kalim për përdoruesit e shërbimeve celulare?

Po presim tenderin nga AKEP dhe siç është raportuar më parë, tashmë kemi përfunduar fazën përgatitore. Rrjeti ynë celular është gati për teknologjinë 5G dhe do të kërkojë vetëm një përmirësim të vogël për të filluar ofrimin e shërbimeve të këtij spektri. Ne po punojmë tashmë me furnizuesin tonë Ericsson për të qenë gati për të prezantuar 5G në gjysmën e dytë të vitit 2023. Megjithatë ka plot sfida, siç janë çmimet për spektrin, baza ligjore e komplikuar për lejet e zhvillimit të kësaj teknologjie, etj. procese që mund të vonojnë hedhjen në treg të këtij shërbimi. Jemi në kontakt me autoritetet, duke u përpjekur të gjejmë një rrugë të mesme që t'i shërbejë më së miri abonentëve, institucioneve dhe operatorëve. Një sfidë tjetër është fakti se çmimet e pajisjeve të përdoruesve fundorë janë ende të larta, gjë që mund të jetë një pengesë e përdorimit masiv të 5G nga abonentët, pavarësisht disponueshmërisë së rrjetit. Ne po punojmë edhe për këtë problem, duke u përpjekur të shfrytëzojmë fuqinë blerëse të grupit 4iG, për të marrë çmimet më të mira të mundshme për tregun shqiptar.

5. Shqipëria ka ende një hendek të konsiderueshëm të shtrirjes së rrjeteve fikse mes zonave urbane dhe atyre rurale. Çfarë mekanizmash mund të përdoren për të rritur aksesin në internet me bazë të gjerë (broadband) edhe në ato zona ku për momentin investimi nuk paraqet interes ekonomik për operatorët?

Ne kemi arritur të zgjerojmë rrjetin e fibrave optike me mbi 1000 km, duke qenë i vetmi operator me prezencë në 93% të bashkive të vendit. Mbi 200,000 familje shqiptare kanë mundësinë të lidhen me rrjetin e fibrave optike, duke ofruar shpejtësi interneti mbi 1 Gbps. Synimi ynë është që në 5 vitet e ardhshme të mbulojmë me fibra më shumë se 75% të familjeve në Shqipëri. Për pjesën e mbetur, një alternativë e mirë mund të jetë teknologjia 5G. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të gjejmë së bashku me autoritetet shtetërore një nivel të pranueshëm çmimi për frekuencat, në mënyrë që të lehtësohet mbulimi i rrjetit 5G në këto zona të largëta. Gjithashtu mbetemi të hapur ndaj mundësive të tjera që mund të eksplorohen në bashkëpunim me autoritetet publike.

6. Vitin e kaluar Shqipëria u përball me disa sulme serioze kibernetike ndaj sistemeve të sektorit publik dhe bankave tregtare. Si e vlerësoni nivelin e mbrojtjes së sektorit të telekomunikacioneve në Shqipëri ndaj rreziqeve të tilla? A mund të jetë siguria kibernetike një fushë me interes për biznesin e grupit 4iG në Shqipëri?

Ne po marrim shumë masa për t'u siguruar që rrjetet tona janë të mbrojtura dhe unë mund t'u siguroj abonentëve tanë që kemi një mbrojtje të sigurisë së lartë dhe kjo është testuar. Besoj se edhe operatorët e tjerë po marrin masa të ngjashme. Duke qenë pjesë e grupit 4iG, ne përshtatëm një shërbim sigurie kibernetike për bizneset në Shqipëri, të hedhur në treg që nga 1 janari 2023. Shërbimi është i shkallëzuar dhe mund të përdoret nga kompani të madhësive të ndryshme. Sipërmarrjet më të interesuara tani për tani janë bankat, por jemi të sigurt se së shpejti do të ketë edhe biznese të tjera që do e përqafojnë këtë shërbim.