ONE Albania do të reduktojë kostot e data roaming-ut me BE-në, si pjesë e një nisme të përbashkët

03-05-2023
One Albania do te reduktoje kostot e data roaming
Z. Péter Fekete
Gjatë nënshkrimit të Deklaratës për Roaming
Samiti Digjital i vendeve të BE dhe Ballkanit Perëndimor

Nga 1 tetori qytetarët dhe bizneset në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor do të përfitojnë nga tarifat më të ulëta të data roaming-ut. Tridhjetë e tetë operatorë telefonikë u angazhuan për të reduktuar ndjeshëm hendekun midis tarifave të roaming dhe tarifave të brendshme midis vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor (në të dy drejtimet).

Kjo nismë duhet të zvogëlojë hendekun midis roaming dhe çmimeve të brendshme mes shumicës së BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor (në të dy drejtimet), me synimin për të forcuar lidhjet midis dy rajoneve, duke inkurajuar dhe thjeshtuar shkëmbimet tregtare, ato kulturore, turistike dhe të tjera. Ofertat specifike do të përcaktohen nga secili prej operatorëve të telekomunikacionit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, bazuar në vendimet e tyre tregtare, me një çmim tavan.

Nisma nisi me nënshkrimin e Deklaratës së Roaming-ut, në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, në dhjetor të vitit të kaluar dhe është mbështetur nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Si një prej investitorëve më të mëdhenj në tregun e telekomunikacionit në Ballkanin Perëndimor, Grupi 4iG, investitor i ONE Albania dhe One Montenegro mbështeti nismën e lëvizjes ndërkufitare.

Si një investitor entuziast në Ballkanin Perëndimor, ne mbetemi të përkushtuar për integrimin ekonomik të këtij rajoni me Bashkimin Evropian dhe jemi të lumtur që rezultatet e para të marrëveshjes i marrim në tetor. Ne mirëpresim që integrimi ekonomik të zgjerohet më tej, me lojtarë të tjerë në treg dhe fusha të tjera, veçanërisht në teknolologjinë e informacionit dhe komunikimit.” – tha Péter Fekete, CEO i Grupit të 4iG Plc.

Ulja e ndjeshme e çmimeve për klientët e vendeve të BE-së nënkupton forcimin e lidhjeve midis kësaj të fundit dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke inkurajuar mundësinë e të bërit biznes jashtë kufijve, për shkak të kostove më të ulëta operacionale. Nga këndvështrimi i Ballkanit Perëndimor, rajoni do të bëhet një destinacion më tërheqës për turistët që vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian, duke krijuar kështu efekte të shumëfishta për ekonomitë e këtyre vendeve.

Konkretisht, operatorët ranë dakord për një nivel maksimal të çmimit të shitjes me pakicë (“çmim tavan”) për 1 GB, në periudhën nga tetori 2023 deri në 2028: 18 euro më 1 tetor 2023, 14 euro në 2026 dhe 9 euro në vitin 2028. Objektivi mbetet një harmonizim optimal i tarifave të data roaming-ut.

Ne presim që reduktimi i kostove të data roaming-ut do të ketë ndikim në rritjen e shkëmbimit dhe komunikimit midis vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, çka do të thotë rritje të mundësive për ekonomitë e rajonit tonë.” – tha Emil Georgakiev, CEO i One Albania.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë prezantuar tashmë në rajon nismën “Roam like at home-Fol si n’shpi” në korrik 2019 dhe plotësisht “Roam Like at Home” në korrik 2021, një angazhim që konsistonte në reduktimin gradual dhe eliminimin e mëvonshëm të tarifave shtesë për roaming midis ekonomive të Ballkanit Perëndimor.