Fëmijët dhe interneti

Sot fëmijët vihen në kontakt me internetin në një moshë shumë të vogël dhe në vende të ndryshme. Këto përfshijnë:

Shkollën – Kompjuterat mund të gjenden në nivele të ndryshme të sistemit arsimor;

Shtëpinë – Shumë shtëpi kanë kompjutera personalë me akses në internet;

Shokët – Nëse fëmija juaj nuk ka akses në internet në shtëpi, është shumë e mundur që një nga shokët e tij të ketë;

Bibliotekat – Bibliotekat kanë kompjutera të lidhur në internet për përdorim nga klientët;

Qendrat e aksesit publik  – Vende publike ku njerëzit mund të kenë akses në internet;

Pajisjet e lëvizshme – Telefonat celularë apo tabletat mund të sigurojnë akses në internet;

Fëmijët mund të kenë akses në internet. Për këtë arsye duhet t`i përgatisni fëmijët tuaj për internetin e sigurtë, njësoj si dhe për çështje të tjera si siguria ndaj zjarrit, ujit, rrugës, etj. Përgatitja e një strategjie të internetit të sigurtë për fëmijët tuaj zvogëlon rrezikun e krijimit të problemeve.

Çfarë bëjnë fëmijët e moshës 5-7 vjeç në internet

Parashkollorët janë mjaftueshëm të rritur për të lundruar në internet dhe për të mësuar rreth komjuterit. Fëmijët që nga mosha pesë vjeç mund të vizitojnë faqët e internetit për fëmijë bashkë me ju dhe të mbajnë korrespondencë e-maili me familjarët dhe miqtë.

Çfarë mund të bëjnë prindërit

  • Të kontrollojnë mirë faqet e përshtatshme për fëmijët e vegjël. Ju duhet të jeni të përgjegjshëm për përzgjedhjen vetëm të atyre faqeve që mund të vizitohen nga fëmijët e kësaj moshe.
  • Rekomandohet një mbikqyrje e afërt.
  • Zgjidhni faqe dhe vendosini ato si shënime (bookmark) për fëmijët e vegjël.
  • Përdorni zonat e sigurta për këtë grupmoshë, vecanërisht kur ata fillojnë shkollën dhe mund të bëjnë vetë akoma më tepër.
  • Kufizoni korrespondencën me e-mail vetëm me disa anëtarë të familjes dhe familjarë që ju i keni aprovuar.
  • Përdorni filtra për të kufizuar aksesin aksidental në material të papërshtatshme.

Çfarë bëjnë fëmijët e moshës 8-11 vjeç në internet

Që prej moshës tetë vjeç, fëmijët interesohen të zbulojnë më tepër rreth internetit, bisedave apo korrespondencave online. Disa fëmijë mund të fillojnë të kërkojnë pavarësinë e tyre dhe të shohin materiale të ndaluara. Ata në mënyrë të vazhdueshme mësojnë dhe kuptojnë ndryshimin ndërmjet një reklame dhe një materiali tjetër. T'u flasësh fëmijëve për informacionin komercial dhe mënyrat se si duhet trajtuar ai, i ndihmon ata. Aftësitë dhe pavarësia e tyre vazhdon e rritet, por duke e kthyer kërkimin në internet një aktivitet familjar, ju ndihmon ju të keni një mbikqyrje të afërt.

Çfarë mund të bëjnë prindërit

  • Përfshihuni në mënyrë aktive në përdorimin e internetit nga fëmijët.
  • Flisni për sjelljen e sigurtë online dhe diskutoni pse kjo është e nevojshme.
  • Kontrolloni dhomat biseduese që fëmija dëshiron të frekuentojë.
  • Shihni mundësitë e përdorimit të filtrave për të bllokuar aksesin në faqe të ndryshme.
  • Përdorni metoda kërkimore të hartuara për t`u përdorur nga fëmijët.
  • Mbajeni kompjuterin në një vend të përshtatshëm në shtëpi që të mund të kontrolloni përdorimin nga fëmijët.

Çfarë bëjnë fëmijët e moshës 12-17 vjeç në internet

Interneti shndërrohet në një mjet shumë të vlefshëm për detyrat dhe projektet e adoleshentëve. Në të njëjtën kohë ata bëhen më të pavarur dhe më të sigurtë në vete, duke kërkuar më tepër liri dhe duke u influencuar më tepër. Kontaktet e tyre online kanë tendencë të rriten. Disa mund të sfidojnë përdorimin e filtrave dhe të përpiqen të shohin materiale të ndaluara. Shumë kanë njohuri të mira të internetit dhe përpiqen të piratojnë në sisteme dhe kuptojnë programimin bazë kompjuterik. Megjithatë ata janë më në gjendje të dallojnë reklamat nga materialet e tjera dhe i kuptojnë teknikat bindëse.

Shumë adoleshentë më të rritur mund të krijojnë programet e tyre dhe të menaxhojnë softet kompjuterike. Përdorimi i internetit nga ana e tyre përfshin kërkimet shkollore, kërkime pune, komunikim global dhe njohuri teknike në rritje. Këto njohuri në rritje mund të krijojnë problem për ta, nëse zbulojnë mënyra apo metoda për të hyrë apo prishur sisteme private.

Çfarë mund të bëjnë prindërit

  • Ruani kontaktet me fëmijët tuaj, se çfarë bëjnë ata në internet. Ndërsa është më e vështirë t'i mbikqyrësh ata drejtpërdrejt, vazhdoni të flisni me ta për cështje të internetit dhe ndani eksperiencat sëbashku.
  • Përforconi mesazhet e sigurisë dhe rregullat e automatizmit. Adoleshentët më të vegjël duhen kujtuar për nevojën e ruajtjes së privatësisë së tyre.
  • Sigurohuni që adoleshentët të kuptojnë që postimi në lajme apo forume mund ta bëjë publike adresën e tyre të e-mailit.
  • Sigurohuni që ju dhe fëmija juaj ti kuptoni ligjet që lidhen me të drejtat e autorit, privatësinë, piraterinë, etj.

Pavarësisht përfitimeve arsimore dhe sociale që vijnë nga interneti, ekzistojnë rreziqe në lidhje me përdorimin e tij.

Fëmijët dhe adoleshentët që e përdorin internetin mund të përballen me materiale që janë shqetësuese dhe të papërshtatshme. Pavarësisht përdorimit të teknologjisë që përdoret për minimizimin e rrezikut, duhen përdorur edhe strategji të tjera si edukimi i fëmijëve në një moshë sa më të hershme për përfitimet dhe rreziqet e përdorimit të internetit. Është e nevojshme ti udhëzojmë fëmijët si të jenë të zgjuar dhe të përdorin internetin në një mënyrë të sigurtë dhe të përgjegjshme.